Ministrja Denaj: Produktet “Made in Albania”, po rrisin cilësinë dhe standardet
2024-03-15 14:34:56

Foto nga ATSH

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndërsa vizitoi panairin e hapur në Tiranë, me rastin e Ditës së Verës, deklaroi se cilësia e produkteve shqiptare është rritur. Sipas saj, tregjet e krijuara me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe ato ndërkombëtare do të jenë një akses edhe për turistët e huaj, shkruan “ATSH”.

Ajo theksoi se këto panaire krijojnë edhe mundësinë për t’u treguar njerëzve të blejnë produkte shqiptare.

“Jam krenare që ky ndërgjegjësim është rritur falë dhe cilësisë së produkteve shqiptare, të cilat sot kanë çarë tregjet ndërkombëtare dhe po konkurrojnë gjerësisht në vend. Shumë mbarësi të gjithëve që punojnë dhe lidhen në një zinxhir vlerash, produktesh dhe ekonomie shkalle”,- u shpreh ministrja Denaj.

“Sa i takon aktiviteteve, duhet të jemi gjithmonë me të gjithë konsumatorët, fermerët, blegtorët për të mundësuar shitje në tregjet tona, qoftë ato të krijuara me mbështetjen e qeverisë ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë që jo pak kanë krijuar tregje në gjithë Shqipërinë dhe do të jenë aksese dhe për turistët e këtij viti”,- deklaroi ministrja shqiptare e Bujqësisë. (Elona)