Të dhënat e INSTAT-it: Profesionet elementare me rritjen më të madhe të pagave
2024-03-15 11:36:15

Kamerier (Foto Panorama)

Ekonomia e Shqipërisë është e uritur për punonjës që kanë aftësi elementare, kryesisht që përdorin forcën dhe jo mendjen gjatë orëve të punës.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT-i tregojnë se në 3-mujorin e fundit të vitit të kaluar, punonjësit me profesione elementare kishin rritjen më të madhe të pagës nominale mujore bruto me rreth 16% në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2022, shkruan “Panorama”.

Rritjet më të larta me ritme dyshifrore të pagave ishin edhe në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve me rreth 15%. Në këta sektorë, pjesa më e madhe e punonjësve përfaqësohet nga shitësit në tregtinë me pakicë dhe nga punonjësit e hoteleve dhe restoranteve, kryesisht kamerierë, banakierë dhe pastrues.

Më tej, rritja më e lartë ka qenë në sektorin e industrisë automative dhe në sektorin e bujqësisë me mbi 13% nga tremujori i katërt 2022 në të katërtin e 2023-shit.

Pagat e punonjësve me arsim të lartë dhe profesionistëve u rriten në të njëjtën periudhë me 11%, ndërsa pagat në sektorin u ushtrisë kishin rritje më të ulët me rreth 10.6 për qind. Pagat në Forcat e Armatosura kishin një rritje më të lartë në vitin 2022. (Elona)