Guvernatori Sejko: Objektivi strategjik i Shqipërisë, modernizimi i sistemeve të pagesave
2024-03-15 11:04:45

Foto nga RTSH

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me homologun italian, Fabio Panetta, në shtetin fqinj, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, ecurinë e sistemit bankar shqiptar, si dhe për zhvillimet në Eurozonë, shkruan “RTSH”.

Guvernatori Sejko tha se një ndër objektivat strategjikë të Bankës së Shqipërisë është modernizimi i sistemeve të pagesave dhe më konkretisht anëtarësimi në Tregun Unik të Pagesave në Euro, i njohur si SEPA, dhe zbatimi i projektit për pagesat e shpejta, për të cilin BSH-ja po bashkëpunon homologen italiane dhe me Bankën Qendrore Europiane.

Sejko theksoi se përtej modernizimit të sistemit të pagesave në vetvete dhe standardizimit me praktikat evropiane, integrimi në një treg më të gjerë evropian do të sjellë përfitime për ekonominë reale vendase.

Guvernatori i Bankës së Italisë, Fabio Panetta vlerësoi kontributin dhe rolin e rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë në sigurimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit.

Ai theksoi se politika monetare e ndjekur dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë kanë ndikuar që vendi të ketë një ndër normat më të ulëta të inflacionit dhe një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon. Gjithashtu Panetta vlerësoi dhe iniciativat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për uljen e borxhit publik të vendit, i cili ka shënuar dhe nivelin më të ulët të tij për më shumë se një dekadë. (Elona)