Ministri Balla: Jo më varreza makinash në anë të rrugëve të Vlorës
2024-03-15 12:06:37

Balla në Vlorë (Foto ATSH)

Qarku i Vlorës ishte ndalesa e radhës e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, i cili ndoqi nga afër një aksion të IKMT-së në bashkëpunim me policinë për pastrimin e hekurishteve të makinave të përdorura që shiten me pjesë.

Sipas praktikës së ndjekur për këtë aksion, fillimisht bëhet njoftimi për heqjen vullnetare të mjeteve, duke përcaktuar edhe një afat të arsyeshëm kohor. Vetëm nëse shtetasi nuk bashkëpunon, atëherë vijohet me ndërhyrjen e strukturave të IKMT-së dhe policisë.

Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së ambientit, aseteve turistike në bregdetin e Vlorës, ministri Balla tha se e rëndësishme është që të pastrohen të gjitha pikat e mjeteve të përdorura, citon “RTSH”. 

“Vlora është kryeqyteti i turizmit. Nuk duhet të lëmë asnjë varrezë makinash, asnjë vendgrumbullim mbetjesh. Edhe sipërmarrjet, baret, restorantet duhet të kuptojnë që njerëzit shkojnë aty për bukurinë”,- theksoi ministri.

Ai vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët për të realizuar sa më mirë këtë aksion për pastrimin e territorit. (Elona)