Elbasani dhe Tirana, kryeqendrat e festimeve për Ditën e Verës
2024-03-15 11:03:14

Foto ATSH

Foto RTSH

Shqiptarët kremtuan Ditën e Verës, festa pagane që bën bashkë njerëzit, duke ndarë gëzim e hare. Simboli i kësaj feste është ëmbëlsira e ballokumes, një traditë e qytetit të Elbasanit.

Elbasani dhe Tirana ishin dy qytetet kryesore ku u përqendruan festimet më të mëdha, të organizuara nga bashkitë përkatëse, me dhjetëra aktivitete për të gjitha moshat, duke përfshirë koncerte, ekspozita, shfaqje artistike e sportive.

Dita e Veres ne Elbasan (Foto Panorama)

Festimet në Elbasan, që është edhe qyteti i traditës së Ditës së Verës, kanë nisur që në fillim të marsit, për të kulmuar më 14 mars me panaire, si ai i zejeve, i bujqësisë, ekspozitë pikture si dhe ekspozitë sportive me foto ndër vite, përcjellin mediet shqiptare.

Nuk mungoi as panairi i ballokumeve në sheshin kryesor te qytetit, ku pati edhe gatim në natyrë nga gratë elbasanase, për turistët kureshtarë, duke treguar teknikat e trashëguara ndër vite. (Elona)