Danimarka do të fillojë të rekrutojë gratë në Forcat e Armatosura
2024-03-15 11:17:01

Foto RTSH

Danimarka ka njoftuar planet për rekrutimin ushtarak të grave për herë të parë dhe për të rritur kohën standarde të shërbimit. Ajo gjithashtu do të rrisë buxhetin e saj të mbrojtjes me gati 6 miliardë dollarë në pesë vitet e ardhshme për të përmbushur objektivat e NATO-s, bën të ditur “RTSH”.

“Ne nuk riarmatosemi sepse duam luftë. Ne po riarmatosemi sepse duam ta shmangim atë”,- tha kryeministrja Mette Frederiksen.

Duke zbuluar reformat, Frederiksen tha se qeveria po kërkonte të arrinte barazi të plotë midis gjinive.

Ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, tha se rekrutimi më i fuqishëm, duke përfshirë barazinë e plotë gjinore, duhet të kontribuojë në zgjidhjen e sfidave të mbrojtjes, mobilizimin kombëtar dhe menaxhimin e Forcave të Armatosura.

Gratë në vendin skandinav mund të regjistrohen vullnetarisht për shërbimin ushtarak. Danimarka bëhet vendi i tretë europian, krahas Norvegjisë dhe Suedisë, që kërkon që gratë të shërbejnë në Forcat e Armatosura.

Shërbimi i rekrutimit do të zgjatet nga 4 në 11 muaj si për burrat ashtu edhe për gratë. (Elona)