Nuk duhet të ketë kundërvënie në kampe nën pretekstin e "demokracisë"
2024-03-15 20:18:55

Politologu i njohur amerikan Samuel P. Huntington shkruan në veprën e vet me ndikim të madh botëror "Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror" se "po nuk ke armiq të vërtetë, nuk mund të kesh as miq të vërtetë". Kjo thënie pasqyron mendësinë e ShBA-së, që është ende duke kërkuar rivalë pas fitores së Luftës së Ftohtë, me frikën e humbjes së hegjemonisë së vet.

Foto:VCG

Foto:VCG

Tani ShBA-ja po e përdor "demokracinë" për të krijuar një "aleancë të konceptit të vlerave" të mbështetur në të ashtuquajturin ndryshim midis "demokracisë" dhe "autoritarizmit". Thelbi i veprimeve të palës amerikane është krijimi i kundërvënies në kampe dhe ndarja e botës.

Samiti i tretë për Demokracinë është një ndër mjetet për këtë qëllim.

Lidhur me këtë, kryetari i komisionit të mbrojtjes të Senatit të Pakistanit, Mushahid Hussain Syed, tha:

“Në samitin e parë ishte ftuar edhe Pakistani, por ne nuk vajtëm. Nuk e pranuam ftesën, sepse samiti nuk kishte të bënte me demokracinë. Pra, do të thosha se në këtë kohë ndryshimesh, është shumë e rëndësishme që në betejën e ideve, të fjalëve, të promovojmë të vërtetën dhe të fokusohemi në atë që është e rëndësishme për vendet tona, për jetën e mirëqenien e njerëzve.”

Sipas ish-kryeministrit japonez Yukio Hatoyama: “Nëse vlerat si demokracia dhe të drejtat e njeriut përfshihen më shumë se ç'duhet në diplomaci, kjo do të sjellë diskriminim dhe përjashtim të vendeve me vlera të ndryshme, të cilat do të marrin kundërmasa nëse gjërat shkojnë në këtë mënyrë në një periudhë afatgjatë.”

Sipas njoftimeve mediatike, megjithëse samiti do të zhvillohet në Korenë e Jugut, forca manipuluese dhe mbizotëruese e tij do të jetë përsëri ShBA-ja. Presidenti amerikan Joe Biden do të marrë pjesë në mënyrë virtuale në këtë samit. Pala amerikane e ndan botën në vende "demokratike" dhe vende "jo demokratike". Një gjë të tillë ajo e bën me synimin e krijimit të politikës së grupeve dhe të kundërvënies ndërmjet fraksioneve të ndryshme, gjë që në vetvete është një shkelje e normave bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ish-kryeministri tajlandez Abhisit Vejjajiva u shpreh: "Organizatat ndërkombëtare apo komuniteti ndërkombëtar nuk kanë asnjë rol të përcaktuar, por ato duhet të kenë një rol konstruktiv, në vend që të përdoret demokracia si vijë ndarëse dhe të vihet një grup vendesh kundër një tjetri.”

Foto:VCG

Foto:VCG

Demokracia është vlerë e përbashkët e njerëzimit. Sistemet demokratike janë pasqyrë e qytetërimeve politike të vendeve të ndryshme. Me kushte konkrete të ndryshme, format dhe rrugët e realizimit të demokracisë nuk janë të njëllojta. Edhe brenda vetë vendeve perëndimore, sistemet demokratike janë të ndryshme. Praktikat e shumëllojshme të sistemeve demokratike janë shenjë e dukshme e shoqërisë moderne.

Sekretari për lidhjet me jashtë të Rinisë Socialdemokrate të Portugalisë João Cerejo dos Santos vuri në dukje:

“Unë mendoj se demokracia dhe të drejtat e njeriut nuk janë pronë e asnjë vendi dhe nuk duhet të përcaktohen nga ndonjë vend. Mendoj se përkufizimi i demokracisë varet edhe nga historia dhe zakonet e vetë vendit. Dokumenti më rëndësishëm për të drejtat e njeriut në shekullin e kaluar është 'Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut'. Të drejtat e njeriut dhe koncepti i demokracisë janë diçka që duhet të përkufizohet, fuqizohet e zbatohet nga çdo qytetar në planet, por nuk i takojnë ndonjë vendi të vetëm.”

Foto:VCG

Foto:VCG

Ndërsa drejtori i Qendrës për Studimet Brazil-Kinë pranë Shkollës së Ligjit të Fondacionit "Getulio Vargas" në Rio-de Zhanejro, Evandro Menezes de Carvalho, u shpreh: "Ka disa lloje demokracish në botë. Nuk mund të themi se ekziston vetëm një model i demokracisë. Praktikisht, të gjitha demokracitë perëndimore po përballen me problemin e krizës së ligjishmërisë, sepse ato nuk po nxisin zhvillimin e nuk po përmirësojnë jetën e njerëzve. Kështu që ato duhet së pari të tregojnë vëmendje për realitetin e vetë atyre".(Zhang Yan/Artan)