Shqipëria bëhet anëtare e koalicionit Global për adresimin e Rrezikut të Drogave Sintetike
2024-03-15 14:33:11

Foto nga ATSH

Shqipëria bëhet anëtare e Koalicionit Global për adresimin e Rrezikut të Drogave Sintetike.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, gjatë fjalës së mbajtur në takimin e Nivelit të Lartë të Komisionit të Drogave dhe Krimit, UNODC, në Vjenë, tha se drogat përbëjnë një kërcënim serioz për vendet dhe shoqëritë, duke ndikuar në kushtet sociale dhe ekonomike apo sigurinë publike, shkruan “ATSH”.

“Kompleksiteti dhe shkalla e drogave të forta ka ardhur duke u rritur, duke i ekspozuar përdoruesit ndaj një numri më të madh të substancave psikoaktive. Një gamë e gjerë substancash me veti psiko-aktive, të ofruara në forma të ndryshme, përbëjnë një rrezik potencial për shëndetin, duke çuar në vdekje e helmime”, deklaroi Balla.

Ai theksoi urgjencën për të luftuar drogat sintetike dhe bëri thirrje për veprim të bashkërenduar dhe përgjigje gjithëpërfshirëse.

Ministri Balla konfirmoi se qeveria shqiptare është e angazhuar në mënyrë aktive në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës, përmes ndryshimeve ligjore për zgjerimin e listës së substancave të ndaluara.

Sipas tij, masat në vijim për të luftuar këtë fenomen, që parashikojnë ngritjen e Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm, në vitin 2025, si dhe Observatorin Kombëtar të Drogës, në 2026-n, do të veprojnë si organizëm përgjegjës për mbledhjen, analizimin dhe përpunimin e të dhënave të lidhura me drogën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. (Elona)