Ministri suedez: Nuk duam baza të përhershme të NATO-s në territorin tonë
2024-03-14 10:33:54

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom (Foto ATSH)

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom, deklaroi se janë kundër krijimit të bazave të përhershme të NATO-s dhe vendosjes së armëve bërthamore në territorin e tyre. Billstrom foli pas ceremonisë së ngritjes së flamurit suedez në selinë e NATO-s në Bruksel, me rastin e anëtarësimit të Suedisë në aleancë si anëtarja e 32-të.

Duke rikujtuar se vendi i tij edhe më parë ka marrë pjesë në operacionet e përbashkëta me NATO-n, Billstrom tha se trupat e NATO-s do të operojnë në Suedi, por nuk duan baza të përhershme, shkruan “ATSH”.

Ai theksoi se në të njëjtën mënyrë, vendi i tij është i gatshëm në parim të dërgojë trupa tek aleatët e tjerë dhe se janë përgatitur që të dërgojnë një batalion të mekanizuar në Letoni.

“Nuk shohim ndonjë arsye për të pasur armë bërthamore në territorin tonë në kohë paqeje. Për këtë çështje do të ndjekim rrugën e Norvegjisë dhe Danimarkës. Sigurisht që asnjë shtet anëtar nuk është i detyruar të posedojë armë bërthamore kundër vullnetit të tij. Prandaj, mendoj se kjo çështje është ekzagjeruar pak”,- tha ministri suedez. (Elona)