Lindita Nikolla: Kodi Penal të parashikojë dënime për bullizmin kibernetik
2024-03-14 11:45:33

Foto nga RTSH

“Roli i Kuvendit, korniza ligjore dhe struktura institucionale në luftën ndaj dhunës psikologjike me bazë gjinore” ishte tema e një aktiviteti të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Qëllimi i këtij takimi është të rrisë vëmendjen dhe diskutimet përkundrejt dhunës psikologjike dhe dhunës digjitale/kibernetike me bazë gjinore, si dhe të shërbejë si një fillesë për miratimin e një nisme ligjore, e cila i shërben Kodit Penal, bën të ditur “RTSH”.

Në fjalën e saj përshëndetëse, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, theksoi rëndësinë e përforcimeve ligjore për të parandaluar dhe dënuar rastet e dhunës në vend, nismë e cila kërkon ndërgjegjësim të grave deputete.

Nikolla prezantoi disa propozime për shtimin në Kodin Penal të dy neneve, të cilat inkriminojnë veprimet e bullizmit kibernetik.

“Në këto propozime nisem nga premisa se legjislacioni penal aktual nuk parashikon figura të veprave penale që ndëshkojnë qartësisht e saktësisht të gjitha format e bullizmit kibernetik, të cilat shkaktojnë pasoja fatale për jetën dhe shëndetin individual e publik. Kjo mungesë ka sjellë pamundësinë e organeve ligjzbatuese që të nisin procedimet për autorët, që kanë kryer veprime të tilla duke lënë terren të lirë për bullizuesit.

Propozimet parashikojnë dënimin e formave të veçanta të veprimeve bullizuese, si: ngacmimet e vazhdueshme në rrjete sociale, kërcënimet, publikimin e imazheve të jetës personale, degraduese në opinionin publik, publikimin apo kërcënimin për publikimin e një imazhi apo akti intim, publikimin e një imazhi intim të manipuluar.

Këto forma të bullizmit kibernetik, përveçse veprime shoqërisht të rrezikshme, gjykoj se duhet të jenë edhe të dënueshme penalisht”,- tha Nikolla.

Në fund të takimit u arrit në përfundimin e ndjekjes së disa hapave të mëtejshëm në kuadër të ndalimit të dhunës me bazë gjinore, si: krijimi i një dokumenti sintezë për adresimin e problematikave, ndërtimi i një plani veprimi për monitorimin e mekanizmave, fokusimin te viktimat e dhunës, si dhe adresimin e dhunës psikologjike përmes një nisme ligjore dhe diskutimet me institucionet ligjzbatuese. (Elona)