BE-ja miraton Ligjin për Lirinë e Medias
2024-03-14 15:04:37

Foto nga VCG

Parlamenti Europian miratoi një projektligj që synon të mbrojë lirinë e medias në Bashkimin Europian.

Akti Evropian për Lirinë e Medias përcakton garanci ligjore në mbarë BE-në për pavarësinë editoriale dhe mbrojtjen e burimeve gazetareske.

Ai gjithashtu kërkon që rregullatorët të monitorojnë tregun mediatik, shkruan “ATSH”.

Platformat e mëdha në internet, si “Google”, “X” e “Facebook”, do të duhet gjithashtu t’u japin organizatave mediatike me mirëbesim deri në 24 orë njoftim dhe të drejtën e përgjigjes përpara se të censurojnë përmbajtjen e tyre.

Organizatat mediatike duhet të regjistrohen paraprakisht për të përfituar nga projektligji.

Ligji u hartua në përgjigje të shqetësimeve për lirinë e medias në disa vende si Hungaria dhe Polonia. Megjithatë, zbatimi është kryesisht një çështje e shteteve anëtare individuale.

Ligji ngjalli disa polemika në Gjermani sepse sipas kushtetutës federale të vendit, rregullimi i medias është përgjithësisht një çështje e 16 shteteve të saj federale dhe jo e qeverisë federale, aq më pak e BE-së.

Vendet anëtare të BE-së pritet të japin miratimin e tyre përfundimtar për Aktin Evropian të Lirisë së Medias gjatë një takimi të planifikuar në pranverë. (Elona)