INSTAT: Mijëra të rinj dolën nga tregu i punës, u zëvendësuan nga pensionistët
2024-03-14 11:07:06

Punësimi i të rinjve (Foto Panorama)

Treguesit e punësimit në Shqipëri u përmirësuan gjatë vitit 2023, por struktura sipas grupmoshës e të punësuarve tregon se ka një tkurrje të fortë të të rinjve dhe një rritje e punësimit te personat në moshë pensioni mbi 64 vjeç.

Gjatë periudhës tetor-dhjetor të vitit 2023 sipas të dhënave nga Anketa e Forcës së Punës nga INSTAT-i, ishin të punësuar mbi 253.5 mijë persona të moshës 15-29 vjeç ose 21 mijë më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2022, citon “Panorama”.

Të dhëna të detajuara nga INSTAT tregojnë se punësimi në këtë kategori ra me -7.7%. Me përjashtim të periudhës korrik-shtator, kur është kulmi i turizmit, në tre tremujorët e tretë numri i të punësuarve të grup moshës 15-29 vjeç erdhi në rënie.

Rënia e punësimit në moshat e reja u shoqërua me rritje jo të zakontë të punësimit të pensionistëve (grupmosha mbi 64 vjeç). Sipas INSTAT-it punësimi në këtë grup pati një zgjerim vjetor me gati 50% në tremujorin e fundit të vitit 2023. Gati 82 mijë persona mbi 64 vjeç ishin në punë në tetor-dhjetor 2023 nga 54,5 mijë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Të dhënat tregojnë se ishin punësuar mbi 27 mijë pensionistë më shumë se në 3 mujorin e fundit të vitit 2022. (Elona)