Shqipëria nuk u përgjigjet kritikave të UNESCO-s për Butrintin
2024-03-14 20:50:31

Shqipëria publikoi të hënën raportin për Parkun Kombëtar të Butrintit, që do të shqyrtohet nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, në Indi, në korrik të këtij viti. Raporti prej 170 faqesh i Ministrisë shqiptare të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit anashkalon përgjigjet për disa nga kritikat e forta të misionit të UNESCO – ICOMOS.

Foto:UNESCO

Foto:UNESCO

Në raportin e monitorimit, që iu dorëzua autoriteteve shqiptare në shtator të vitit 2023, misioni i UNESCO-s shprehte “shqetësim të thellë” për ndryshimin e kufijve të Parkut Kombëtar të Butrintit nga qeveria shqiptare me heqjen e 600 hektarëve pa dijeninë dhe miratimin e organizatës.

Misioni i UNESCO-s thotë në raportin e vitit 2023, se menaxhimi vetëm i zonës A-3 me rreth 614,3 hektarë, nuk përmbush kërkesat e UNESCO-s për një menaxhim të integruar të Butrintit, që kombinon arkeologjinë, monumentet dhe pjesën natyrore.

Misioni i UNESCO-s ka kërkuar gjithashtu që Ministria e Kulturës të ruajë autoritetin e "shtetit palë" për Butrintin, ku organizata kërkon përgjegjësitë shtetërore në përputhje me standartet botërore të vendosura nga UNESCO.

Ndërsa UNESCO ka kërkuar “informimin nga Shqipëria mbi masat për mbrojtjen dhe menaxhimin e integruar të pronës dhe zonës së saj tampon”, autoritetet shqiptare duket se nuk e kanë ende gati këtë plan për t'ia dorëzuar Komitetit të Trashëgimisë Botërore.

“Puna e nisur po ndiqet me takime teknike që synojnë përgatitjen e një plani të detajuar veprimi afatshkurtër dhe afatgjatë, për zbatimin e rekomandimeve të UNESCO-ICOMOS”, thuhet në raportin e palës shqiptare.