Shqipëria, rol të rëndësishëm në Korridorin Jugor të Gazit
2024-03-14 10:42:57

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ne Budapest (Foto RTSH)

Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor është zgjidhja e vetme ndaj krizës, me të cilën po përballet 
sektori i energjisë në Europë.

Ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i ftuar nga homologu hungarez, Péter Szijjártó, në Forumin Ballkanik të Budapestit, nënvizoi kapacitetin e Shqipërisë për prodhimin e energjisë nga uji, por edhe nga dielli e era, citon “RTSH”.

“Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur për shkak të pozicionit të saj gjeografik në Korridorin Jugor të Gazit, veçanërisht përmes Gazsjellësit Trans- Adriatik. Është një model i bazuar në diversifikimin, ku energjia shërben si katalizator për hapjen e rrugëve të duhura për tregtinë dhe diplomacinë”,- tha ministri Hasani.

Kryediplomati shqiptar theksoi se përfshirja e Shqipërisë në rrugët kryesore energjetike të kontinentit i jep asaj potencial për t’u kthyer në një nyje të rëndësishme strategjike.

“Është koha që ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm të punojmë për prodhimin e energjisë brenda vendit, por edhe të bashkërendojmë strategjitë e të kthehemi në potencial kryesor të sigurisë energjetike për Europën”,- nënvizoi ministri. (Elona)