Kancelari gjerman refuzon të dërgojë raketa “Taurus” në Ukrainë
2024-03-14 15:08:36

Foto nga VCG

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka shprehur sërish kundërshtimin e tij të qartë për dërgimin e raketave me rreze të gjatë “Taurus” në Ukrainë.

Scholz është përballur me kritika nga opozita konservatore pas refuzimit për t’i ofruar Ukrainës raketat, pavarësisht lutjeve të përsëritura të këtij vendi.

Gjatë një debati në Parlamentin gjerman, Bundestag, kancelari Scholz përmendi shqetësimin se sigurimi i armëve të avancuara mund ta çojë Gjermaninë drejtpërdrejt në një konflikt me Rusinë, shkruan “ATSH”.

Sipas Scholz, furnizimi i forcave ukrainase me raketa “Taurus” do të kërkonte gjithashtu përfshirjen e ushtarëve gjermanë për të ndihmuar në përdorimin e tyre.

Blloku i opozitës së qendrës së djathtë CDU/CSU ka planifikuar një votim për një rezolutë që kërkon që qeveria gjermane t’i japë Ukrainës raketat “Taurus”. (Elona)