AIDA: Tirana, ndër destinacionet më të mira për të investuar
2024-03-14 14:24:51

Foto nga RTSH

Tirana është pjesë e listës së qyteteve dhe rajoneve europiane të së ardhmes, si një nga destinacionet më të mira për të investuar.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), njofton se, në raportin vjetor “Qytetet dhe rajonet europiane të së ardhmes 2024”, publikuar nga “FDI Intelligence”, Tirana renditet në vendin e 7-të në kategorinë e 10 qyteteve me madhësi të mesme për sa i përket efektivitetit të kostove, bën të ditur “ATSH”.

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, inkuadrohet në radarin e investitorëve të huaj si një vend tërheqës, që ofron kosto të ulëta të të bërit biznes.

Treguesi i eficiencës së kostos, i matur nga “FDI Intelligence”, sipas metodologjisë së shpjeguar prej saj, merr parasysh elemente të tilla si paga mesatare e punonjësve të kualifikuar dhe të pakualifikuar, qiraja për zyra premium industriale sipas kategorisë A, paga minimale, kostoja e hapjes së biznesit, kostoja e regjistrimit të pasurisë, kostoja e lejeve të ndërtimit, çmimet e naftës, çmimet e hoteleve me 4 dhe 5 yje, kostoja e lidhjes së energjisë, tatimfitimi, TVSH, norma totale e taksave në % të fitimit dhe të ardhurat për frymë të vendit, të matura sipas fuqisë blerëse. (Elona)