Plani i Rritjes i BE-së, Tabaku: Vendos një theks të caktuar në rritjen e integrimit ekonomik
2024-03-13 10:46:43

Jorida Tabaku (Foto Atsh)

Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE), në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), zhvilluan në Tiranë takimin rajonal me temë: “Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe ndikimi i tij në përshpejtimin e reformave të shtetit të së drejtës”.

Kryetarja e KKIE-së, Jorida Tabaku, e cilësoi Planin e ri të Rritjes dhe fondet në dispozicion një luks i cili nuk duhet humbur për të financuar reforma të cilat nuk kanë ndodhur deri sot, shkruan “ATSH”.

“Plani i ri i Rritjes vendos një theks të caktuar në rritjen e integrimit ekonomik, tregun e përbashkët rajonal, në përshpejtimin e disa reformave që deri sot i kanë munguar Ballkanit Perëndimor dhe kjo shoqërohet me një rritje të asistencës financiare për vendet për të financuar këto reforma”, u shpreh Tabaku.

Plani i rritjes prej 6 miliardë eurosh, sipas saj, është një mundësi të cilën qeveritë e Ballkanit Perëndimor duhet ta materializojnë duke hartuar e ndërtuar planet e reformave ekonomike që do të fokusohen në 7 fusha.

Ajo i bëri thirrje qeverisë të hartojë reformat ekonomike në kuadër të Planit të Rritjes. Tabaku tha se Plani i Rritjes ka në fokus edhe integrimin rajonal.

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu deklaroi se Plani i Rritjes është një shtyllë e fuqishme e integrimit rajonal dhe europian.

Ai theksoi se krijimi i tregut të përbashkët rajonal nuk është më thjesht një plan alternativ, por tashmë është një nga shtyllat kryesore të integrimit në BE.

Sipas tij, Parlamenti ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e këtij komponenti me rëndësi për integrimin e rajonit në tregun e përbashkët europian.

Ai u shpreh optimist se brenda vitit 2030 Shqipëria mund të shohë të realizuar ëndrrën e integrimit në BE. (Irma)