Komisioni Europian rekomandon nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Bosnjë-Hercegovinën
2024-03-13 15:05:55

Foto Atsh

Komisioni Evropian rekomandon nisjen e bisedimeve zyrtare me Bosnjë-Hercegovinën për t’u bashkuar me bllokun prej 27 anëtarësh, deklaroi presidentja e KE-së, Ursula Von Der Leyen.

“Bosnjë-Hercegovina ka bërë hapa mbresëlënës përpara. Vendi ka bërë më shumë progres në pak më shumë se një vit, krahasuar me një dekadë të tërë”, tha Von der Leyen gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian, në Strasburg, shkruan “ATSH”.

Njoftimi do të thotë se ekzekutivi i BE-së është i kënaqur me përmbushjen e kritereve të nevojshme nga ana e Bosnjë-Hercegovinës, për të filluar bisedimet zyrtare për anëtarësimin në BE.

Megjithatë, vendimi për fillimin e bisedimeve ka nevojë për miratimin unanim nga krerët e vendeve anëtare të BE-së, të përfaqësuar në Këshillin e Europës, të cilët do të takohen në Bruksel më 21 dhe 22 mars.

Bosnjë-Hercegovina aplikoi për t’u bashkuar me BE-në në vitin 2016 dhe KiE e njohu atë si një vend kandidat zyrtar për anëtarësim në vitin 2022.

Në nëntor të vitit të kaluar, KE-ja bëri të ditur se bisedimet e pranimit duhet të fillonin pasi vendi i kishte përmbushur disa kritere.

“Komisioni do të publikojë sot një raport progresi duke detajuar se si Bosnjë-Hercegovina i ka përmbushur këto kushte”, u tha von der Leyen ligjvënësve.

“Vendi ka miratuar ligje të rëndësishme për çështje të tilla si parandalimi i konfliktit të interesit, pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit. Menaxhimi i emigracionit në Bosnjë-Hercegovinë vazhdon të përmirësohet”,- tha Von der Leyen.

Ajo vlerësoi gjithashtu progresin për dialogun dhe pajtimin për Luftën e Bosnjë-Hercegovinës 1992-1995 duke theksuar se Ministria e Drejtësisë ka rënë dakord të përfshijë në dosjet e brendshme penale vendimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. (Irma)