Anija me 200 tonë ndihma për Gazën u nis nga Qiproja
2024-03-13 16:39:50

Anija e ndihmes per ne Gaza (Foto Atsh)

Një anije me gati 200 tonë ndihma u nis nga një port i Qipros për në Gaza, në një projekt pilot për të hapur një rrugë të re detare në ndihmë të popullsisë në prag të urisë, shkruan “BBC”, citon “ATSH”.

Anija humanitare “Open Arms” lundroi nga porti i Larnakasit në Qipro, duke tërhequr një maune me miell, oriz dhe proteina. Anija i përket një shoqate bamirësie spanjolle me të njëjtin emër.

Nuk është bërë e ditur saktësisht se ku do të ankorohet anija kur të arrijë në Gaza.

Misioni, i financuar kryesisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe, u organizua nga shoqata bamirëse “World Central Kitchen” (WCK), me qendër në SHBA, ndërsa organizata bamirëse spanjolle furnizoi anijen.

“Qëllimi ynë është të krijojmë një rrugë detare për të transportuar miliona vakte drejt Gazës”, thanë në një deklaratë themeluesi i WCK-së Jose Andres dhe shefi ekzekutiv Erin Gore.

Sipas WCK-së, në Gaza pritet të dërgohen 500 tonë ndihmë të tjera të grumbulluara në Qipro. (Irma)