Pagesat për bonusin e bebeve u rritën, por lindjet ranë me 10% në vitin 2023
2024-03-13 15:49:15

Foto nga VCG

Foshnjet  e lindura në vitin 2023 shënuan rënie me rreth 10 për qind në krahasim me vitin 2022, por pagesat për bonusin e bebeve erdhën në rritje.

Gjatë vitit të kaluar u paguan nga buxheti i shtetit shqiptar 3.3 miliardë lekë (rreth 31 milionë euro), si bonus për foshnjat e lindura, pavarësisht faktit se vjet lindën 2478 bebe më pak se në vitin 2022 dhe miratimit nga qeveria të një nismë ligjore që kufizon pagesat për lindjet jashtë vendit, shkruan “Panorama”.

Bonusi i bebeve në mbi 40 për qind të vlerës së tij ka shkuar për foshnjat e lindura jashtë vendit, pavarësisht se qeveria synoi që më këtë mjet financiar të përmirësonte lindjet brenda vendit.

Që nga viti 2019 deri në fund të vitit 2023 qeveria ka paguar në formën e bonusit të bebeve mbi 141 milionë euro, por nga ana tjetër numri i lindjeve në të njëjtën periudhe ka rënë me 22%.

Totali i bebeve përfituese, sipas të dhënave të Monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë, është për 161.943 të porsalindur. Nisur nga numri i lindjeve për vitet 2019-2022, sipas të dhënave të INSTAT-it, është 108.535 lindje, çka rezulton se 33% apo 53.408 bebe përfituese të bonusit jetojnë jashtë.

Në vitin 2019 qeveria nisi të aplikojë bonusin e bebeve që ka një përfitim financiar prej 40 mijë lekësh për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë lekë për të tretin dhe foshnjat e tjera në vijim, si një politikë për rritjen e lindshmërisë, por deri më tani skema nuk ka rezultuar efektive. (Irma)