Escobar: Aktualisht kemi problem komunikimi me Albin Kurtin
2024-03-13 18:12:04

I dërguari i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të martën se “partneriteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është në mes të popullit amerikan dhe popullit të Kosovës dhe nuk varet nga një njeri apo një parti”, duke i bërë jehonë një qëndrimi të përsëritur ditëve të fundit nga zyrtarë amerikanë që bëjnë dallimin ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ai i bëri këto komente në një bashkëbisedim me gazetarë nga Brukseli prej nga filloi një vizitë në Evropë, gjatë së cilës pritet të qëndrojë në Prishtinë, për të diskutuar rreth procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe çështjen e përdorimit të dinarit në zonat e banuara me shumicë serbe.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërsa kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.

“Më duhet të them se aktualisht kemi problem komunikimi me z. Albin Kurti dhe ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara. Mendoj se është problem në komunikim që Kosova ka me Bashkimin Evropian, me NATO-n, me Britaninë e Madhe, me Shtetet e Bashkuara dhe shumë partnerë të tjerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha zoti Escobar, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara kanë pasur “një partneritet shumë, shumë të afërt me Kosovën në të kaluarën; do të na pëlqente shumë që ta kthejmë atë lloj marrëdhënie sërish siç ishte dikur.”

Zoti Escobar i bëri thirrje qeverisë së Kosovës t’i marrë parasysh shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar lidhur me trajtimin e pakicave, ndërsa numëroi disa arsye shqetësuese lidhur me zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e dinarit.