Banka Botërore synon rritjen e mbështetjes për kapitalin njerëzor në Shqipëri
2024-03-13 14:45:16

Ministri Mete (Foto Rtsh)

Ministri i Financave, Ervin Mete, zhvilloi një takim me drejtorin rajonal të Bankës Botërore, Michal Rutkoëski, menaxherin për Shqipërinë, Emanuel Salinas, dhe përfaqësues të tjerë të lartë të BB-së.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi në drejtim të mbështetjes që Banka Botërore synon të japë në lidhje me punësimin, aftësimin, rritjen e përfshirjes sociale, si edhe investimin për kapitalin njerëzor në Shqipëri, shkruan “RTSH”.

Ministri Mete vlerësoi mbështetjen dhe ekspertizën e Bankës Botërore sa i përket fushave që lidhen me mbrojtjen sociale, me fokus punësimin dhe rritjen e përfshirjes sociale.  

Palët vlerësuan rëndësinë e avancimit të dialogut, si edhe analizimit të komponentëve të mbrojtjes sociale, ku Banka Botërore shprehu gatishmërinë për të ofruar asistencën e saj.

Disa nga fushat ku pritet të fokusohet bashkëpunimi në të ardhmen janë përmirësimi i aftësive të të rriturve në moshë pune, duke i ofruar atyre trajnime dhe shërbime të punësimit; rritja e mundësive për arsimim për fëmijët e familjeve në nevojë; si edhe ndërmarrja e një qasje reformuese ndaj skemës së pensioneve, për përmirësimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të saj.

Palët ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në drejtim të mbështetjes së kapitalit njerëzor, përmes rritjes së aftësimit, punësimit dhe mbrojtjes sociale. (Irma)