Kina i bën thirrje BE-së të promovojë sigurinë e përbashkët
2024-03-13 20:16:55

Një diplomat i lartë kinez i kërkoi të martën Bashkimit Evropian të përkrahë idenë e sigurisë së përbashkët, në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi bashkëpunimin OKB-BE.

Foto:VCG

Geng Shuang, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB(Foto:VCG)

Kina mbështet bashkëpunimin OKB-BE në përputhje me objektivat dhe parimet e Kartës së OKB-së,  për të dhënë kontribut më të madh për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, rritjen e mirëqenies së njerëzimit dhe trajtimin e sfidave globale, theksoi Geng Shuang, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB.

Kina pret që një bashkëpunim i tillë të udhëhiqet nga parimet e multilateralizmit të vërtetë, sigurisë së përbashkët dhe një të ardhmeje të përbashkët për njerëzimin, tha ai.

"Si nxitëse e multilateralizmit, BE-ja duhet të udhëheqë në zbatimin e objektivave dhe parimeve të Kartës së OKB-së, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare e normat bazë të njohura botërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke mbrojtur sistemin shumëpalësh me OKB-në në qendër dhe duke promovuar solidaritetin e përparimin midis vendeve nën flamurin e multilateralizmit", shtoi Geng.

Siguria e një vendi nuk mund të garantohet në kurriz të sigurisë së të tjerëve, u shpreh ai, duke shtuar se nuk ka terren për të arritur sigurinë rajonale duke forcuar apo edhe zgjeruar blloqet ushtarake.

Zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB vuri në dukje se shqetësimet e ligjshme të sigurisë të të gjitha vendeve duhet të merren parasysh seriozisht dhe të trajtohen siç duhet dhe se BE-ja duhet të punojë me OKB-në për të promovuar një zgjidhje politike të çështjeve të nxehta e për t'i zgjidhur konfliktet dhe mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore.

Foto:VCG

Foto:VCG

BE-ja duhet të punojë me vendet e tjera anëtare të OKB-së për të promovuar konsensusin dhe veprimet konkrete në Samitin e së Ardhmes që do të mbahet sivjet,  për t'i dërguar një sinjal pozitiv botës së jashtme për çeljen e perspektivave të reja për njerëzimin, theksoi diplomati kinez.

Duke u shprehur që zgjidhja përfundimtare e krizës në Ukrainë duhet të jetë nëpërmjet dialogut dhe negociatave", Geng tha se BE-ja, si një palë e rëndësishme e interesuar, duhet të bëjë më shumë për të promovuar zgjidhjen politike dhe për të krijuar kushte të favorshme për një arkitekturë sigurie të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme në Evropë.

Lidhur me konfliktin në vazhdim në Gazë dhe krizën humanitare atje, Geng theksoi: "Ne shpresojmë që BE-ja do të ushtrojë ndikimin dhe rolin e saj për të dhënë kontribut më të madh në promovimin e një armëpushimi të menjëhershëm, shtimin e ndihmës humanitare, si edhe zbatimin e 'zgjidhjes me dy shtete' dhe realizimin e paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme".

Afrika po përballet me sfida në rritje për sa i përket arritjes së paqes dhe zhvillimit. Kina shpreson që BE-ja do të mbajë përgjegjësi më të madhe, do t'i përmbahet parimit të "zgjidhjeve afrikane për problemet të Afrikës" dhe do t'i përkrahë vendet e këtij kontinenti në forcimin e kapaciteteve për të përballuar më mirë rreziqet e sfidat në realizimin e zhvillimit të qëndrueshëm.

Foto:VCG

Foto:VCG

Është e rëndësishme të mbështetet ndërtimi i mekanizmit të sigurisë kolektive të Bashkimit Afrikan dhe të jepen kontribute financiare më të parashikueshme e më të qëndrueshme për operacionet paqeruajtëse dhe antiterroriste të udhëhequra nga Bashkimi Afrikan, shtoi ai.

Kina u ka kushtuar gjithmonë një rëndësi të madhe marrëdhënieve të saj me BE-në, pasi e vlerëson këtë të fundit si një forcë të rëndësishme në procesin e shumëpolarizimit. Kina dëshiron të shohë që BE-ja të forcojë autonominë e saj strategjike, të luajë një rol më të madh në çështjet ndërkombëtare dhe të japë kontribut më të madh në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare

“Kina është e gatshme të thellojë bashkëpunimin shumëpalësh me BE-në e të punojë me të për të nxitur multilateralizmin, për të mbrojtur hapjen e zhvillimin dhe për të çuar përpara dialogun mes qytetërimeve, duke bërë përpjekje të pandërprera për të ruajtur paqen botërore, për të nxitur zhvillimin e përbashkët e për të forcuar qeverisjen globale", tha zëdhënësi. (Zhang Yan/Artan)