Ministrja Koçiu në OKB: Shqipëria e ka vendosur barazinë gjinore në krye të agjendës kombëtare
2024-03-13 16:05:26

Foto nga ATSH

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, deklaroi se Shqipëria e ka vendosur barazinë gjinore në krye të agjendës së saj kombëtare dhe ndërkombëtare, duke besuar se eliminimi i të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave dhe respektimi i barazisë gjinore si dhe fuqizimi i grave janë ndër të drejtat themelore të njeriut, raporton “ATSH”.

Përmes një videomesazhi nga selia e OKB-së në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Sesionit të 68-të të Komisionit për Statusin e Gruas pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ministrja Koçiu informoi se ky sesion fokusohet në përshpejtimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave duke adresuar varfërinë, forcimin dhe financimin e institucioneve përgjegjëse.

Ministrja Koçiu theksoi se në nivel ndërkombëtar fuqizimi i grave, forcimi i paqes dhe i sigurisë ishin një ndër prioritetet kryesore të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Shqipëria është një nga vendet që i ka kushtuar vëmendje ngritjes së mekanizmave për të siguruar buxhetimin gjinor në ciklin vjetor të miratimit të buxhetit të shtetit. Gjithashtu, ne po luftojmë në mënyrë efektive dhunën ndaj grave në tre fronte; ndryshimet në Kodin Penal që kanë ashpërsuar ndjeshëm dënimin për abuzuesit, rritjen e financimit për programet e asistencës sociale dhe programet e rehabilitimit si dhe fushatat dhe programet mbarëkombëtare ndërgjegjësuese. Së bashku ne po bëjmë hapa drejt një të ardhmeje ku barazia gjinore nuk është thjesht një aspiratë, por një realitet dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim për Shqipërinë Europiane 2030”,- theksoi ministrja. (Irma)