Biden dhe Trump sigurojnë emërimet partiake për një ripërballje në zgjedhjet e nëntorit
2024-03-13 18:00:56

Presidenti amerikan Joe Biden siguroi të martën në mbrëmje emërimin e tij si kandidat i demokratëve, dhe ish presidenti Donald Trump siguroi delegatët e nevojshëm për emërimin republikan, duke hapur rrugën për një përsëritje të garës së vitit 2020.

Foto:VCG

Foto:VCG

Të dy fituan në zgjedhjet paraprake në Xhorxhia, Misisipi dhe në Uashington, duke siguruar shumicën e mjaftueshme të delegatëve në partitë e tyre.

Edhe pa emërimet zyrtare të partive, të dy kandidatët janë në fushatë tetë muaj përpara zgjedhjeve, duke goditur njëri-tjetrin sa herë që kanë mundësi.

Në fjalimin e tij për gjendjen e kombit javën e kaluar, presidenti Biden përçmoi "paraardhësin” 13 herë, duke mos përmendur kurrë zotin Trump me emër, por duke përshkruar një pikëpamje “të së keqes” mbi një mandat të dytë presidencial të zotit Trump.

Ish presidenti Trump tallet me moshën e presidentit Biden, 81 vjeç, ndonëse është vetëm katër vjet më i ri.

"Unë besoj se ai do të jetë kandidat", tha zoti Trump për presidentin Biden në rrjetin CNBC të hënën. "Unë jam kundërshtari i tij i vetëm përveç jetës, vetë jetës".

Shumica e anketave të hershme kombëtare tregojnë se zoti Trump ka një përparësi të lehtë ndaj zotit Biden në disa prej shteteve kryesore të fushëbetejës politike, që ka të ngjarë të përcaktojnë rezultatin kombëtar në votimet e 5 nëntorit. Por zoti Trump po përballet gjithashtu me katër padi penale të pashembullta që përfshijnë 91 akuza, ndërsa një proces gjyqësor pritet të fillojë me 25 mars.

Ndonëse të dy kanë siguruar delegatët për të qenë të emëruarit e partive, emërimet nuk do të jenë zyrtare derisa secila parti të mbajë kuvendin e saj. Republikanët pritet të mbajnë konventën e tyre në korrik, ndërsa demokratët në muajin gusht.