Kryeministri izraelit: Të gjithë udhëheqësit e lartë të Hamasit kanë vdekur
2024-03-13 10:57:20

Foto Atsh

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përsëriti synimin e tij për ta udhëhequr vendin drejt fitores totale në luftën kundër lëvizjes islamike palestineze Hamas në Rripin e Gazës, shkruan “ATSH”.

“Ne jemi në rrugën drejt fitores totale dhe tashmë kemi eliminuar udhëheqësit kryesore të Hamasit. Ata janë të gjithë të vdekur. Ne do t’i arrijmë të gjithë”,- deklaroi Netanyahu.

Numri katër në hierarkinë e Hamasit është padyshim zyrtari i lartë i Hamasit, Saleh al-Arouri, i cili u vra në një sulm ajror në kryeqytetin libanez Bejrut në fillim të janarit. Vrasja e synuar më pas iu atribuua Izraelit, i cili ende nuk ka komentuar mbi këtë çështje. Me deklaratën e Netanyahut, ka të ngjarë që Izraeli të ketë pranuar përgjegjësinë për sulmin.

Al-Arouri ishte përgjegjës brenda Hamasit për mbajtjen e marrëdhënieve të ngushta me milicinë shiite pro-iraniane Hezbollah në Liban dhe kishte rëndësi thelbësore për furnizimin me armë për islamistët në Rripin e Gazës.

Komentet e Netanyahut erdhën vetëm disa orë pasi mediat izraelite raportuan vrasjen e mundshme të zyrtarit të tretë më të lartë të Hamasit në Rripin e Gazës, Marwan Issa.  (Irma)