Ambasadori holandez: Plani i rritjes i BE-së, mundësi e shkëlqyer për Shqipërinë dhe rajonin
2024-03-13 10:48:58

Keshilli Rajonal (Foto Atsh)

Ambasadori holandez në Shqipëri, Reinout Vos, deklaroi se plani i rritjes i BE-së është një mundësi e shkëlqyer financiare për Shqipërinë dhe Rajonin, që vjen në shkëmbim të reformave.

Gjatë takimit rajonal me temë: “Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe ndikimi i tij në përshpejtimin e reformave të shtetit të së drejtës”, i zhvilluar në Tiranë, organizuar nga Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE), në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), ambasadori Vos theksoi se integrimi europian është në proces i cili i takon të gjithë shoqërisë, ku përfshihet edhe shoqëria civile, që duhet të luajë një rol kyç.

Ai theksoi se plani i rritjes është një mundësi e shkëlqyer për sa i takon anës financiare, është një model llogaridhënie, është mënyra më normale që BE-ja funksionon për të dhënë llogari mbi paratë që shpenzohen, llogari që u jepet taksapaguesve.

“Kjo duhet të kuptohet edhe nga populli i gjerë. Do të mirëprisja praninë e rajonit këtu. Ka pasur takime të nivelit të lartë që u zhvilluan këtu në Tiranë, që theksuan dimensionin rajonal të integrimit. Kjo është rruga drejt Europës dhe rruga që duhet të ndjekin të gjitha vendet e rajonit për t’u integruar. Duhet të mësojmë nga njëri-tjetri. Sfidat janë të gjitha të ngjashme”, përfundoi Vos.

Ndër të tjera, ai theksoi se mezi pret që të ketë një Parlament shqiptar, që të funksionojë si zemra e demokracisë. (Irma)