Rusia po përdor FAB-1500 kundër Ukrainës
2024-03-12 11:10:14

Armatime ruse (Foto Rtsh)

Rusia ka filluar të përdorë një bombë të fuqishme ajrore, e cila ka asgjësuar mbrojtjen ukrainase dhe ka përmbysur balancën në frontin e luftës, njofton “RTSH”. Këtë e ka bërë duke shndërruar një armë bazike të epokës sovjetike në një bombë rrëshqitëse, e cila mund të shkaktojë një krater 15 metra të thellë.

Bomba në fjalë quhet FAB-1500, një armë 1.5 tonë. Gati gjysma e të cilës përbëhet nga lëndë të forta shpërthyese. Ajo lëshohet nga avionët e luftës, nga një distancë prej 60 deri në 70 km, jashtë rrezes së shumicës së sistemeve të mbrojtjes ajrore në Ukrainë.

Një video nga fushëbeteja në rajonin e Donetskut tregon fuqinë e madhe të këtyre bombave teksa godasin një central të energjisë termale, fabrika dhe blloqe kullash, vende nga ku Ukraina koordinon mbrojtjen e vet.

FAB-1500 drejtohet për te shënjestra e vet përmes një sistemi udhëzimi dhe i dalin krahë që e ndihmojnë të rrëshqasë drejt objektivit.

Bomba ofron një mundësi shumë më shkatërruese për avionët e shumtë taktikë të Rusisë dhe ndihmon pilotët të qëndrojnë larg nga vijat mbrojtëse të kundërshtarit.  (Fatosi)