Escobar pritet të vizitojë Kosovën për të diskutuar çështjen e dinarit serb dhe dialogun
2024-03-12 20:17:11

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të qëndrojë gjatë kësaj jave në Prishtinë për të biseduar me udhëheqësit e Kosovës për dialogun me Serbinë dhe çështjen e dinarit serb.

Foto:VCG

Foto:VCG

“Në Kosovë, ai do të takohet me udhëheqësit e qeverisë së Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetin serb”, thuhet në njoftim, në të cilin nënvizohet se në kuadër të kësaj vizitë do të diskutohet edhe për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

Vizita e të dërguarit amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar në Kosovë po ndodh në një kohë mospajtimesh mes qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka hyrë në fuqi me një shkurt, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë njoftoi të hënën se ka vendosur katër kontenjerë të Bankës së Postës së Serbisë në afërsi të vendkalimeve kufitare me Kosovën, për të mundësuar qytetarëve serbë të Kosovës të tërheqin dinarë serb.

Sipas kësaj zyreje, kjo zgjidhje teknike do të jetë e përkohshme derisa të vendoset funksionimi normal i transaksionit të pagesave për serbët në Kosovë ndërsa theksoi se Beogradi zyrtarë këmbëngul për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme me Kosovën.

Kjo çështje pritet të jetë pjesë e diskutimeve më vonë gjatë kësaj jave ndërmjet presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, i cili pritet të qëndrojë në Beograd.

Diplomatët perëndimorë i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.