NATO: Prioritet përshpejtimi i prodhimit të municioneve
2024-03-12 10:43:24

Flamujt e Natos dhe Shqiperise (Foto Argumentum.al)

NATO e ka vendosur ndër prioritetet e veta kryesore rritjen e prodhimit të armëve, nisur nga konflikti në Ukrainë.

Zyra e NATO-s në Bruksel u prononcua në një reagim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare në lidhje me idenë e rivitalizimit të industrisë së armëve në Shqipëri. Sipas kësaj zyre, diskutimet mes aleatëve vazhdojnë për rritje të prodhimit të municioneve.

“Në mënyrë që të rimbushim rezervat tona dhe të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, ne duhet të kalojmë nga ritmi i ngadaltë i kohës së paqes, në prodhimin me ritëm të lartë të kërkuar nga konflikti”,- u shprehën zyrtarët e Aleancës.

Gjithnjë sipas reagimit vetëm në muajt e fundit, NATO ka rënë dakord për kontrata me vlerë 10 miliardë dollarë. “Kjo ndihmon Ukrainën, e bën NATO-n më të fortë dhe ofron më shumë vende pune me aftësi të larta në Evropë dhe Amerikën e Veriut”,- shprehet zyra e NATO-s në Bruksel.

Në prononcimin për “ATSH”-në theksohet gjithashtu se ekspertët e NATO-s janë duke vlerësuar mundësinë për të investuar në bazën detare të Durrësit, Porto Romano, ndërsa po mirëpresin ofertat e aleatëve për të pritur objektet e NATO-s.

Lidhur me hapjen e Bazës Ajrore të Kuçovës, zyra e NATO-s në Bruksel u shpreh se ajo do t’i shërbejë Shqipërisë dhe do të mbështesë logjistikën, operacionet ajrore, stërvitjen dhe stërvitjet e Aleancës. (Fatosi)