Von der Leyen: Ndihma detare e BE-së për Gazën është e nevojshme
2024-03-12 11:27:13

Foto ATSH

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Izraeli duhet të bëjë më shumë për të lehtësuar gjendjen ekstreme të njerëzve në Rripin e Gazës.

“Izraeli po përmbush detyrën e tij për t’u kujdesur për njerëzit në një masë të kufizuar dhe duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur jetën civile”,- tha Von der Leyen për transmetuesin gjerman “ZDF”.

Sipas saj, duke pasur parasysh situatën në Gaza, korridori i planifikuar i ndihmës detare i BE-së nga Qiproja në Gaza është absolutisht i nevojshëm, pasi aktualisht po përjetohet një katastrofë humanitare.

Ajo theksoi se operacioni detar është rënë dakord me Izraelin.

“Faktori vendimtar është që izraelitët mund të inspektojnë mallrat në anën qipriote dhe të kryejnë kontrollet e sigurisë. Pas kësaj anija mund të niset për në Gaza. Mundësia për të derguar më shumë ndihma në rrugë tokësore, po diskutohet intensivisht me Izraelin. Të gjithëve u kërkohet të ndihmojnë”, tha Von der Leyen. (Irma)