Papa Françesku: Ukraina duhet të ketë kurajë të negociojë për fundin e konfliktit me Rusinë
2024-03-12 11:04:07

Papa Francesku (Foto Vaticannews)

Ukraina duhet të ketë kurajë të ngrejë flamurin e bardhë dhe të negociojë për dhënien fund të konfliktit me Rusinë, deklaroi papa Françesku në një intervistë regjistruar muajin e shkuar nga transmetuesi zvicerian “RSI”, citon “RTSH”.

Në intervistë, e cila pritet të transmetohet e plotë më 20 mars, Ati i Shenjtë u pyet për mendimin e tij në lidhje me debatin mes atyre që thonë se Ukraina duhet të dorëzohet pasi nuk ka qenë e aftë të zmbrapsë forcat ruse dhe atyre që thonë se duke u dorëzuar, legjitimohen veprimet e më të fortit.

Në pyetje, intervistuesi përdori termin flamur i bardhë.

“Mendoj se më i forti është ai që shqyrton situatën, mendon për popullin e tij dhe ka kurajë të ngrejë flamurin e bardhë dhe të negociojë”,- u shpreh papa,  duke shtuar se bisedimet duhet të zhvilloheshin me ndihmën e ndërkombëtarëve.

Zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, deklaroi se papa kishte përdorur termin “flamur i bardhë” të paraqitur nga intervistuesi, për të treguar nevojën për të ndalur armiqësitë për të arritur një armëpushim me kurajën e negociatave.

“Mos kini drojë dhe turp nga bisedimet”,- u shpreh papa, i cili në pjesën e intervistës ku flitej për luftën mes Izraelit dhe Hamasit theksoi se të negociosh nuk do të thotë të dorëzohesh.  (Fatosi)