BE-ja do të rekomandojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Bosnjës në BE
2024-03-12 19:37:32

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të martën se Komisioni do të rekomandojë që vendet anëtare të hapin negociatat e anëtarësimit të Bosnjës dhe Hercegovinës në bllok, pavarësisht ndasive etnike në vendin e Ballkanit Perëndimor.

Foto:VCG

Foto:VCG

Bosnja është në mesin e gjashtë vendeve të rajonit, krahas Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, që ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE, pas një periudhe luftërash dhe krizash në vitet 1990.

Procesi i zgjerimit të BE-së me këto vende është bllokuar prej vitesh. Por pas konfliktit Rusi-Ukrainë, zyrtarët e bllokut janë më të prirë të përpiqen t'i joshin ata përballë ndikimit të Kremlinit.

“E kemi kuptuar se nuk mjafton vetëm të presim që Ballkani Perëndimor të afrohet me ne”, u tha zonja von der Leyen ligjvënësve evropianë të martën. “Nuk mjafton të thuhet se dera është e hapur. Ne gjithashtu duhet të marrim përgjegjësi dhe të mbështesim rrugën e tyre drejt bashkimit në çdo mënyrë të mundshme”.

Udhëheqësit e BE-së pritet të diskutojnë rekomandimin e Komisionit Evropian në një takim të planifikuar për javën e ardhshme në Bruksel. 

Anëtarësimi nënkupton një proces të gjatë për të përafruar ligjet dhe standardet e një vendi me ato të bllokut dhe për të dëshmuar se institucionet dhe ekonomitë e tyre përmbushin normat demokratike.

Von der Leyen tha se Bosnja duhet të bëjë "më shumë përparim" për t'u anëtarësuar në BE, por theksoi më këmbëngulje "hapat mbresëlënës" që vendi ka hedhur tashmë. Ajo vlerësoi gjithashtu përpjekjet e Bosnjës në luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe për përmirësimin e kontrollit të migracionit.