Ambasadori i BE-së: Reforma zgjedhore, proces gjithpërfshirës që reflekton realitetin politik
2024-03-12 15:40:02

Foto nga Tiranapost

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi se dëshiron që procesi për reformën zgjedhore të jetë gjithpërfshirës, konstruktiv dhe që të reflektojë realitetin politik në vend, njofton “RTSH”.

Ai shprehu besimin se problemet me të cilat ballafaqohet Shqipëria në zgjedhje do të zgjidhen.

Në datat 13-14 mars pritet të mbërrijnë në Shqipëri ekspertët e OSBE-ODIHR-it. Bashkë me Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore ata do të punojnë për draftin përfundimtar të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Në vemendje janë çështje si metodologjia për votën e diasporës, herësi apo propozimet e tjera të partive politike për ndryshimin e zonave zgjedhore. (Fatosi)