Shtatë kandidatë në garën për president në Maqedoninë e Veriut
2024-03-11 11:48:26

Foto nga VCG

Në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, që pritet të mbahen më 24 prill, do të garojnë shtatë kandidatë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka bërë të ditur se deri në premten në mesnatë, shtatë nga njëmbëdhjetë kandidatët e paraqitur kanë arritur të mbledhin nga 10.000 nënshkrime, aq sa janë të nevojshme për të marrë pjesë në garën presidenciale, njofton “RTSH”.

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, do të garojë nën siglën e Lidhjes Socialdemokrate në pushtet. Në KSHZ ai ka dorëzuar rreth 22.000 nënshkrime.

VMRO DPMNE-ja opozitare do të garojë me deputeten aktuale Gordana Siljanovska-Davkovën, e cila ka mbledhur 28.000 nënshkrime.

Në garën zgjedhore, partitë shqiptare në pushtet dhe opozitë do të kandidojnë me dy kandidatë.

Renditja e kandidatëve për në listën votuese do të bëhet e ditur pas shortit, që do të hidhet më 28 mars.

Rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa i dyti, së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.

Fushata elektorale, e cila do të zgjasë 20 ditë, do të nisë më 4 prill. (Fatosi)