Projektligji i ndalimit të mundshëm të “TikTok”–ut ndez debate në ShBA
2024-03-11 20:40:02

Aplikacioni “TikTok” po kalon një kohë të vështirë në Shtetet e Bashkuara. Të martën ose të mërkurën, Dhoma e Përfaqësuesve planifikon të votojë një projektligj që mund ta detyrojë “ByteDance”, kompaninë mëmë të “TikTok”-ut, ta shesë platformën e ndarjes së videove ose të përballet me ndalimin në ShBA.

Foto:VCG

Foto:VCG

Të enjten e kaluar, projektligji, i njohur si Ligji për Mbrojtjen e Amerikanëve nga Aplikacionet e Kontrolluara nga Kundërshtarët e Huaj, kaloi raundin e parë të votimit në Komitetin e Energjisë dhe Tregtisë të Dhomës së Përfaqësuesve me një rezultat votimi 50-0.

"Ky ligj ka një rezultat të paracaktuar: një ndalim të plotë të ‘TikTok’-ut në Shtetet e Bashkuara," deklaroi kompania pas votimit. "Qeveria po përpiqet t’u heqë 170 milionë amerikanëve të drejtën e tyre kushtetuese për shprehje të lirë."

Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU) tha se kjo masë përfaqësonte një përpjekje për të fituar "pikë politike me kosto të ulët gjatë një viti zgjedhor". ACLU-ja më tej vëren se shumë amerikanë mbështeten në këtë aplikacion për informacion e komunikim.

Përpara se të bëhet ligj, projektligji duhet të miratohet si në Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe në Senat, dhe më pas të firmoset nga presidenti.

Presidenti Joe Biden tha të premten e kaluar se do ta nënshkruante projektligjin, ndërsa rivali i tij Donald Trump ngriti shqetësime për ndalimin e shërbimit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Më parë “TikTok”-u u përgjigj duke u dërguar të gjithë përdoruesve të tij një njoftim, ku u kërkonte atyre të telefononin përfaqësuesit e tyre në Kongres për të shprehur pakënaqësinë. Disa përdorues të “TikTok-ut” që janë të pakënaqur me projektligjin, u telefonuan zyrave të përfaqësuesve të tyre në Kongres.

“TikTok” e përshkroi projektligjin si "një ndalim të plotë ... pavarësisht se sa shumë përpiqen autorët ta maskojnë atë" në një deklaratë të postuar në platformën e rrjetit social “X”.

“Ky ligj do të shkelë të drejtat sipas Amendamentit të Parë të 170 milionë amerikanëve dhe do t’i shmangë 5 milionë biznese të vogla prej një platforme ku ata mbështeten për t’u rritur dhe për të krijuar vende pune,” tha kompania.

Përkrahësit e projektligjit e mohojnë se kjo masë është një ndalim i hapur i “TikTok”-ut, duke argumentuar se “ByteDance”-it i jepet një afat rreth gjashtëmujor për të pranuar.

Projektligji i propozuar përfaqëson përpjekjen e fundit të ligjvënësve amerikanë për të frenuar “TikTok”-un. Në vitin 2020, Trump kërkoi të ndalonte “TikTok”-un dhe “WeChat”-in në pronësi kineze, por u bllokua nga gjykatat.

Foto:VCG

Foto:VCG

“TikTok” është i ndaluar në pajisjet e qeverisë amerikane, megjithëse fushata e rizgjedhjes së Biden-it e përdori atë muajin e kaluar.(Zhang Yan/Artan)