Presidenti amerikan pritet të nënshkruajë projektligjin që ndalon “TikTok”-un
2024-03-11 11:51:54

Foto nga VCG

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se do të nënshkruajë legjislacionin që ndalon aplikacionin popullor për ndarjen e videove “TikTok” në Shtetet e Bashkuara, njofton “RTSH”.

Legjislacioni kaloi njëzëri nga Komiteti i Energjisë dhe Tregtisë i Dhomës së SHBA-së, duke i bërë thirrje “ByteDance” të heqë pronësinë e saj të “TikTok”, ose të përballet efektivisht me një ndalim nga SHBA-ja.

Ish-presidenti Donald Trump, kandidati i mundshëm republikan presidencial, deklaroi në platformën e tij “Truth Social” se ai e kundërshton ndalimin, sepse do të ndihmonte platformën rivale të mediave sociale, “Facebook”.

Në vitin 2022, presidenti Biden ndaloi përdorimin e “TikTok” nga afro katër milionë punonjës të qeverisë federale në pajisjet në pronësi të agjencive të saj, me përjashtime të kufizuara për qëllime kërkimore të zbatimit të ligjit dhe sigurisë kombëtare.

Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ndaloi “TikTok” nga telefonat e qeverisë vitin e kaluar, duke e sjellë atë në përputhje me SHBA-në, Kanada dhe BE-në. (Fatosi)