Anija ushtarake amerikane niset drejt Gazës për të ndërtuar portin e përkohshëm
2024-03-11 10:39:17

Foto nga VCG

Një anije ushtarake amerikane po lundron drejt Lindjes së Mesme, duke mbajtur pajisje për të ndërtuar një skelë të përkohshme në brigjet e Gazës. Kjo vjen pasi presidenti amerikan, Joe Biden, tha se SHBA-ja do të ndërtonte portin lundrues për të ndihmuar në marrjen e ndihmës nga Gaza përmes detit, njofton “RTSH”.

OKB-ja ka paralajmëruar se uria në Rripin e Gazës është pothuajse e pashmangshme dhe fëmijët po vdesin nga uria.

Dorëzimi i ndihmave nga toka dhe ajri ka rezultuar i vështirë dhe i rrezikshëm. Programit Botëror të Ushqimit iu desh të ndalonte dërgesat e tokës pasi kolonat e makinave u sulmuan me armë zjarri dhe u plaçkitën.

Të premten, pati raportime se pesë persona ishin vrarë nga një paketë ndihme në rënie, pasi parashuta e saj nuk u hap siç duhet.

Anija amerikane mban pajisjet e para për të krijuar një skelë të përkohshme për të ofruar furnizime jetike humanitare në Gaza.

Pentagoni bëri të ditur se mund të duhen deri në 60 ditë për të ndërtuar skelën me ndihmën e 1000 trupave.

Organizatat bamirëse kanë bërë të ditur se ata që vuajnë në Gaza nuk mund të presin kaq gjatë. Ndërkohë, një anije ndihme e ngarkuar me rreth 200 tonë ushqim është ende në pritje të lejes për t'u nisur nga një port në Qipro.

Gaza nuk ka një port funksional dhe ujërat përreth janë shumë të cekëta për anijet e mëdha. (Fatosi)