Turoperatorët shqiptarë mbyllin rezervimet për 2024-n dhe po punojnë për 2025-n
2024-03-11 11:14:45

Foto nga Lexo.al

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka publikuar momente nga prezantimi i Shqipërisë turistike përgjatë një jave në panairin botëror të turizmit  ITB Berlin, shkruan “ATSH”.

Stenda shqiptare në panairin më të madh në botë të turizmit përcolli të gjitha shijet, ngjyrat e ndjesitë e Shqipërisë turistike duke u dhuruar një përvojë të mrekullueshme udhëtimi virtual të gjithë kureshtarëve që e vizituan dhe shprehën entuziazmin për ta eksploruar dhe ripërjetuar këtë vend duke nisur nga ky vit.

Gjatë këtij eventi u prezantua Shqipëria turistike me sloganin “Albania All Senses”, i cili është një ftesë për një përvojë turistike që kënaq të gjitha ndjesitë dhe emocionet me bukuritë natyrore, tingujt e valëve në bregdet, erën dhe shijet e kuzhinës tradicionale, emocionet e historisë dhe kulturës së pasur dhe prekjen e mjedisit dhe elementeve natyrore.

Në këtë vit kaq të rëndësishëm, një tjetër moment dhe hap i rëndësishëm për turizmin shqiptar, ishte shpallja e Shqipërisë si vend nderi i ITB 2025.

Turoperatorët shqiptarë konfirmuan se po punojnë për vitin 2025, pasi rezervimet për 2024-n janë mbyllur. (Fatosi)