Skema Kombëtare e Bujqësisë synon të rrisë cilësinë dhe standardin për eksport
2024-03-10 15:18:47

foto nga Atsh

foto nga Atsh

Këshilli i Ministrave miratoi Skemën Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2024, me 8 masa mbështetëse, me një vlerë prej 3.4 miliardë lekësh, aplikimet e së cilës pritet të nisin më 27 mars.

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici, deklaroi në një intervistë televizive, përcjellë nga “ATSH”, se 2.1 miliardë lekë janë të dedikuara për 7 masat mbështetëse për kulturat e tjera dhe 1.3 miliardë është e dedikuar për skemën e mbështetjes me naftë. 

“Kjo është një skemë që vjen me disa risi. E para lidhet me rëndësinë që ka bashkimi dhe bashkëpunimi i fermerëve. Shuma e përfitimit është në varësi të aplikimeve pasi të bëhet një përpjestim i barabartë për të gjithë në fund. Risi e kësaj skeme është heqja e tavaneve për numër krerësh apo sipërfaqesh të mbjella me sera, ndërkohë që këtë vit janë përfshirë edhe kultivuesit e bimëve mjekësore. Nuk do të ketë më karta direkt të naftës por do të kalojë shuma direkt në llogarinë bankare”,- tha Civici.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka parashikuar që deri në çelje të aplikimeve të zhvillojë fushata informuese me fermerët në të gjithë territorin e vendit, për të bërë skemën më gjithëpërfshirëse. (Irma)