Irani dhe BE-ja do të vazhdojnë konsultimet për heqjen e sanksioneve
2024-03-10 16:03:08

foto nga VCG

foto nga VCG

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit për Çështjet Politike, Ali Bagheri Kani, deklaroi se konsultimet me Bashkimin Europian (BE) do të vazhdojnë për çështje me interes të përbashkët, duke përfshirë heqjen e sanksioneve ndaj Teheranit zyrtar, citon “Xinhua”. 

Ai informoi në rrjetet sociale për një takim në kryeqytetin e Katarit, Doha, me zëvendëskryediplomatin e BE-së, Enrique Mora, dhe Përfaqësuesin Special të bllokut për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, Sven Koopmans.

“Pata një takim të dobishëm me Mora dhe Koopmans. Konsultime të tilla do të vazhdojnë për të adresuar më tej çështjet me interes të përbashkët, si heqja e sanksioneve ndaj Iranit”,- deklaroi Bagheri Kani. 

Mora shkroi gjithashtu në një postim në “X” se ai kishte takuar Bagheri Kani në Doha, duke renditur temat e takimit mes tyre, si lufta e Gazës, dimensioni rajonal, angazhimet bërthamore, heqja e sanksioneve në kuadrin e marrëveshjes së JCPOA-së dhe çështjet dypalëshe.

JCPOA, Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, është një marrëveshje bërthamore e nënshkruar midis Iranit dhe fuqive botërore në korrik 2015. Sipas marrëveshjes, Irani ra dakord të vendosë disa kufizime në programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndaj vendit. Megjithatë, SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja në maj 2018 dhe rivendosi sanksionet e njëanshme ndaj Iranit, duke e shtyrë këtë të fundit të heqë disa nga angazhimet e tij bërthamore. 

Bisedimet për ringjalljen e JCPOA-së filluan në prill 2021 në Vjenë, Austri. Pavarësisht disa raundeve bisedimesh, asnjë përparim i rëndësishëm nuk është arritur që nga përfundimi i raundit të fundit në gusht 2022. (Irma)