Ministrja Koçiu: Forcimi i Mekanizmit të Referimit mundëson mbrojtje për gratë e dhunuara
2024-03-10 15:42:28

foto nga Atsh

foto nga Atsh

Forcimi i Mekanizmit të Koordinuar të Referimit, i ngritur në 61 bashki të vendit mundëson mbrojtje për gratë e dhunuara dhe ofron shërbimin e duhur për to, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, citon “ATSH”.

Ndërsa publikoi historinë e një gruaje, duke thënë se ajo gjeti forcën dhe guximin të denonconte dhunën, falë edhe mbështetjes së strukturave përkatëse, e fitoi lirinë e u integrua në shoqëri, ministrja Koçiu bëri thirrje për denoncimin e dhunës në instancat përkatëse.

“Së bashku mund t’ia dalim të kemi një shoqëri të çliruar nga dhuna, kultura e heshtjes apo steriotipet, sikurse kjo grua e cila ka gjetur forcën dhe guximin të denoncojë dhe, falë mbështetjes së strukturave tona, të fitojë lirinë e të integrohet në shoqëri”, u shpreh ministrja Koçiu.

“Dhuna është një fenomen i paparashikueshëm. Ne jemi dispozicion 24 orë në 7 ditë të javës. Institucioni kryesor ku paraqiten është policia. Detyra kryesore që ka një punonjës police i zonës është mbikëqyrja e personave kontigjent për dhunë“,- shprehet një punonjëse e Policisë pranë Zyrës së Kallëzimeve.

“Ftoj të gjithë personat e dhunuar t’i drejtohen shërbimit mjekësor. Ka një staf të kualifikuar, kanë mundësi të kenë privatësinë e tyre, sigurinë e tyre dhe i gjithë stafi është i përkushtuar për t’i ofruar shërbim”, shprehet një mjek. (Irma)