Shqipëria me normën e lindjeve ndër më të ulët në Europë
2024-03-10 16:10:13

foto nga VCG

foto nga VCG

Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se në vitin 2022 Shqipëria kishte treguesin më të ulët të fertilitetit për grua, duke lënë pas vetëm Spanjën dhe Maltën. Italia e cila konsiderohet nga popullsitë më të plakura të Europës kishte normë më të lartë fertiliteti se Shqipëria gjatë vitit 2022, teksa më 2021-shin, vendi renditet në pozicion të mirë, shkruan “Panorama”.

Shtyrja e moshës së martesës, karriera dhe ndryshimi i stilit të jetesës po i bën gratë shqiptare gjithnjë e më pak të prira për të krijuar familje dhe për të lindur më shumë se një fëmijë. Në Shqipëri, një ndikim të madh kanë edhe faktorët ekonomikë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2022 norma e fertilitetit ra në 1.21 fëmijë për grua në moshë riprodhimi, nga 1.32 që ishte më 2021-shin. Kjo është rënia më e fortë që nga viti 2015. Kjo do të thotë se në 100 gra në moshë riprodhimi lindën vetëm 121 fëmijë, nga 132 fëmijë që lindën më 2021-shin. Që nga viti 2001 me 2023 norma e fertilitetit është përgjysmuar duke rënë nga një nivel 2.31 fëmijë për grua në 1.21 fëmijë.

Indeksi i fertilitetit është nën normën e zëvendësimit prej 2.1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten.

Në Europë edhe në vitin 2022 kryesoi Franca e kishte një indeks fertiliteti 1.79 fëmijë për grua më i lartë në Europë, Rumania 1.71 fëmijë për grua dhe Bullgaria 1.65 fëmijë për grua. 

Në Rajon, Serbia renditet më mirë në këtë tregues me 1.59 fëmijë për grua, ndonëse ky vend ka një popullsi më të plakur se Shqipëria.

Sipas të dhënave nga INSTAT-i, indeksi sintetik i fertilitetit ra në 1.21 fëmijë për grua më 2022-shin nga 1.34 fëmijë që ishte ky tregues më 2020-n dhe 1.36 në vitin 2019-n. 

Në vitin 2001, sipas INSTAT-it, ky tregues ishte 2.1, ndërsa në vitet 1970 ishte mbi 5. (Irma)