Ministrja Manastirliu premton rritjen e pagave për mësuesit gjatë 2024-s
2024-03-09 15:46:51

Ministrja Manastirliu (Foto nga Rtsh)

Ministrja Manastirliu (Foto nga Rtsh)

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, deklaroi se sistemi arsimor ka hyrë në një fazë të re të transformimit. Gjatë një interviste televizive, cituar nga “RTSH”, ministrja Manastirliu theksoi se me pagat e larta synohet rritja e cilësisë dhe shtimi i interesit të të rinjve për degët e mësuesisë. 

Ky vit, sipas saj, do të jetë edhe viti ku do të bëhet rritje e konsiderueshme e pagave për mësuesit. Ministrja deklaroi se do të jenë rreth 30 mijë mësues që do të përfitojnë.

“Ne kemi hyrë në një fazë të re të transformimit të sistemit arsimor. Kemi filluar punën në disa plane, qoftë për sa i përket modernizimit të kornizës kurrikulare, qoftë programit kombëtar të zhvillimit profesional të mësuesve dhe rishikimit të shkallës së karrierës së mësuesit, të cilët nëpërmjet këtyre programeve synojmë të rrisim cilësinë e mësimdhënies dhe arritjet e nxënësve”, tha Manastirliu.

Ministrja theksoi se objektivi kryesor është rritja e interesit të të rinjve për të ndjekur degët e mësuesisë. Kjo, sipas saj, do të arrihet me ofrim të bursave për studentët dhe me programin për rritjen e pagave të mësuesve.

Sa i përket investimeve në edukimin në vazhdim apo trajnimin e mësuesve, Manastirliu u shpreh se vëmendja është tek grupi i shkencave ekzakte, por edhe tek gjuha shqipe dhe arsimi fillor. (Irma)