Ekonomi: Roli i grave këshilltare, thelbësor në identifikimin e problematikave gjinore
2024-03-09 11:02:16

Milva Ekonomi (Foto nga Atsh)

Milva Ekonomi (Foto nga Atsh)

Roli i grave këshilltare është thelbësor në identifikimin dhe adresimin e problematikave gjinore, deklaroi deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi, ndërsa mori pjesë në takimin e organizuar nga Projekti Bashki të Forta dhe Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje me Aleancën e Grave Këshilltare të Këshillave Bashkiake dhe Aleancën e Grave Deputete të qarqeve Tiranë, Durrës dhe Dibër, si dhe deputete, organizuar për përzgjedhjen e strukturave drejtuese të Aleancës së Grave Këshilltare Bashkiake në Shqipëri, shkruan “ATSH”.

Ekonomi u ndal në mënyrë të veçantë te komunikimi i vazhdueshëm me stafin e bashkive përkatëse për të gjetur zgjidhje për problemet që shqetësojnë komunitetin dhe veçanërisht gratë.

Ajo e cilësoi si thelbësore mbështetjen e grave mes tyre dhe ftoi gratë këshilltare të ndërmarrin iniciativa sado të vogla për të mbështetur fuqizimin ekonomik të grave në njësitë e tyre, duke i dhënë një fokus të veçantë grave që kanë nevojë për shërbime sociale.

Ekonomi sugjeroi se çdo iniciativë vendore që adreson dhunën me bazë gjinore, përfshirë atë psikologjike dhe kibernetike, ka nevojën të koordinohet midis të gjithë aktorëve. (Irma)