Samiti Botëror i Grave Kryeparlamentare miratoi Deklaratën për Barazinë dhe të Drejtat e Grave
2024-03-09 11:10:26

foto nga VCG

foto nga VCG

Në kryeqytetin francez, Paris, u zhvillua Samiti Botëror i Grave Kryeparlamentare, organizuar nga Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Francës, Yawl Braun-Pivet. Në samit mori pjesë edhe kryeparlamentarja shqiptare Lindita Nikolla, shkruan “ATSH”.

Samiti iu kushtua çështjeve të rëndësishme që lidhen me rolin e edukimit në ngushtimin e pabarazive të zhvillimit dhe luftën kundër dhunës ndaj grave si edhe nxitjen e pjesëmarrjes së grave në zhvillimin politik dhe shoqëror.

Samiti themeloi Rrjetin e Grave Kryeparlamentare dhe miratoi Deklaratën mbi të Drejtat e Grave dhe Barazinë Gjinore, ku bëhet thirrje për forcimin e bashkëpunimit mes Parlamenteve kombëtare, mbështetjen për ratifikimin e instrumentave ligjore bashkëkohore, për rrjetet, organizimet, nismat dhe veprimet parlamentare për të drejtat e grave, prioritarizimin e barazisë sociale dhe barazisë gjinore në agjendat politike e parlamentare, rritjen e përfaqësimit parlamentar të grave dhe të kulturës së barazisë në jetën parlamentare.

foto nga VCG

foto nga VCG

Gjatë samitit, gratë kryeparlamentare sollën përvojat e parlamenteve të vendeve të tyre mbi fuqizimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe të diplomacisë parlamentare feministe aktive për mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të grave. Në takim u theksua se Parlamentet duhet të jenë në vijën e parë të mbrojtjes së të drejtave të grave, nëpërmjet miratimit dhe kontrollit të zbatimit të legjislacionit mbi barazinë ekonomike, sociale dhe gjinore, si vlerë demokratike në shoqërinë bashkëkohore.

foto nga VCG

foto nga VCG

Diskutimet u përqëndruan edhe në aspekte konkrete të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, progresin në arsim, mbrojtjen e shëndetit, pjesëmarrjen ekonomike, përballimin e sfidave të rreziqeve kibernetike në shtimin e dhunës ndaj grave e vajzave, dekurajimin e përjashtimit dhe nxitjen e përfshirjes sociale, mbrojtjen e grave nga luftrat e konfliktet etj. (Irma)