Thyhet rekordi i nxehtësisë për të nëntin muaj radhazi
2024-03-08 16:13:38

Rekordi i nxehtesise (Foto Atsh)

Rekordi i nxehtesise (Foto Atsh)

Shërbimi i BE-së për ndryshimet klimaterike, “Copernicus”, njoftoi se shkurti ishte muaji i nëntë radhazi që shënoi temperatura rekord në rang global, duke u bërë shkurti më i ngrohtë në histori.

Temperaturat e ajrit sipërfaqësor ishin mesatarisht 13.54 gradë Celsius, që është 0.81 gradë mbi mesataren e 30 viteve, shkruan “ATSH”.

Ky muaj kishte gjithashtu temperatura 0.12 gradë më të larta se shkurti i mëparshëm më i ngrohtë i matur ndonjëherë.

Temperatura shumë mbi mesataren janë regjistruar në Evropën Qendrore dhe Lindore, në Siberinë veriore, në Amerikën e Veriut qendrore dhe veriperëndimore, në pjesën më të madhe të Amerikës së Jugut, në të gjithë Afrikën dhe në Australinë Perëndimore.

“Shkurti i bashkohet serisë së gjatë të rekordeve të muajve të fundit”, deklaroi drejtori i “Copernicus”, Carlo Buentempo.

“Sado e jashtëzakonshme që mund të duket kjo, nuk është aspak befasuese pasi ngrohja e vazhdueshme e sistemit klimaterik në mënyrë të pashmangshme çon në ekstreme të reja të temperaturës. Klima i përgjigjet përqendrimeve aktuale të gazeve serrë në atmosferë, kështu që nëse nuk mund t’i stabilizojmë ato, do të kemi për t’u përballur në mënyrë të pashmangshme me rekorde të reja të temperaturës globale dhe pasojat e tyre”,- bëjnë të ditur studiuesit. (Elona)