Kreu i IAEA-s diskutoi me presidentin rus mbi centralin bërthamor të Zaporizhias
2024-03-08 16:10:41

Grossi - Putin (Foto Atsh)

Grossi - Putin (Foto Atsh)

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi diskutoi me presidentin rus, Vladimir Putin, për situatën e sigurisë në centralin bërthamor të Zaporizhias të pushtuar nga Rusia në Ukrainë.

“Gjatë takimit në Sochi, në Detin e Zi, së bashku me presidentin rus Vladimir Putin diskutuam edhe për sfida të tjera globale të mospërhapjes së armëve bërthamore”,- deklaroi Grossi në një postim në platformën “X”, citon “ATSH”.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve “Interfax”, Putin theksoi synimin e Rusisë për të bashkëpunuar me IAEA-n.

As Grossi dhe as Kremlini nuk dhanë detaje të mëtejshme për takimin.

Grossi deklaroi më herët se do të adresonte shqetësimet e sigurisë në lidhje me një rifillim të mundshëm të reaktorëve aktualisht të çmontuar në Zaporizhia.

Grossi iu referua gjithashtu furnizimit të pamjaftueshëm të energjisë emergjente për sistemet e ftohjes së centralit bërthamor.

Shefi i IAEA-s tha në fillim të kësaj jave se centrali i Zaporizhias, centrali më i madh bërthamor në Evropë, furnizohet aktualisht me vetëm një linjë të vetme energjie për ftohjen e materialit bërthamor.

Sipas tij, situata e centralit duhet të konsiderohet jashtëzakonisht e pasigurt për shkak të afërsisë me frontin dhe luftimet e vazhdueshme aty pranë. (Elona)