Hapet një tjetër shkollë në Tiranë, e rindërtuar plotësisht falë programit “EU4School”
2024-03-08 14:37:51

Ministrja Manastirliu (Foto faqja zyrtare arsimi.gov.al)

Ministrja Manastirliu (Foto faqja zyrtare arsimi.gov.al)

Në Ditën e Mësuesit, një tjetër shkollë e rindërtuar hapi dyert për nxënësit në zemër të Tiranës, shkolla 9-vjeçare “26 Nëntori”.

Në ceremoninë e përurimit të shkollës së re, e rindërtuar plotësisht falë programit “EU4School”, të financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturën arsimore dhe në zhvillimin profesional të mësuesve, citon “ATSH”.

Ajo tha se shkolla “26 Nëntori” është një dëshmi e qartë e angazhimit të qeverisë për të ngritur cilësinë e arsimit në Shqipëri, duke përmendur edhe hapjen e 40 kantiereve të reja.

“Këtë vit ne do të hapim 40 kantiere të reja të shkollave në bashki të vendit, duke mundësuar që jo vetëm të kemi shkolla më të forta, më të mira, moderne por nga ana tjetër të kemi edhe struktura ku mësimi zhvillohet në një tjetër standard dhe cilësi, falë edhe investimeve që jemi duke bërë”,- tha Manastirliu.

Ministrja shtoi se zhvillimi profesional i mësuesve dhe rritja e pagave janë prioritete kyçe për të nxitur një arsimim cilësor dhe për të mbështetur mësuesit në misionin e tyre të rëndësishëm.

Në ceremoninë e përurimit të shkollës “26 Nëntori” ishin të pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përfaqësues të Bashkimit Europian, mësues, nxënës dhe të ftuar të tjerë.

Për mësuesit e kësaj shkolle, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, dhuroi lule, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të çmuar në edukimin e fëmijëve. (Elona)