Egjipti iu bashkua operacionit ndërkombëtar për dërgimin nga ajri të e ndihmave në Gaza
2024-03-08 17:22:16

Ndihma nga ajri (Foto Egyptianstreets)

Ndihma nga ajri (Foto Egyptianstreets)

Egjipti i është bashkuar një operacioni ndërkombëtar për dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin palestinez të Gazës, i cili aktualisht po përballet me rrethimin dhe bombardimet e vazhdueshme izraelite, njoftoi Ushtria egjiptiane në një deklaratë të enjten, citon “Xinhua”.

“Anëtarët e Forcave Ajrore egjiptiane marrin pjesë në koalicionin ndërkombëtar për të dërguar ndihma nga ajri në Gaza nga Jordania”,- thuhet në deklaratë, duke theksuar se Jordania, SHBA-ja, Franca, Holanda dhe Belgjika gjithashtu morën pjesë në operacion.

Sipas deklaratës, ndihma urgjente humanitare synon zonat e prekura në veri të Gazës. Ngjitur me enklavën e rrethuar palestineze, Egjipti ka qenë një furnizues kryesor i ndihmës për Gazën përmes pikës kufitare Rafah gjatë sulmeve të vazhdueshme izraelite.

Zyrtarët egjiptianë thonë se Egjipti ka kontribuar në dërgimin e mbi 80 për qind të ndihmave totale në Gaza.

Izraeli nisi një fushatë masive në Gaza pasi Hamasi, që sundon Gazën, sulmoi qytetet izraelite më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 izraelitë dhe duke marrë mbi 200 pengje. Që atëherë, sulmet izraelite në enklavë kanë vrarë mbi 30.000 palestinezë dhe kanë plagosur më shumë se 72.000 të tjerë, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza. (Elona)